
Orges Shehi pritet të zyrtarizohet nga momenti në moment si trajneri i ri i Partizanit. Gjithçka është e kryer, palët kanë rënë dakord prej kohësh për detajet e fundit dhe ajo që mbetet është vetëm e zeza mbi të bardhë, firma në kontratë dhe prezantimi para mediave e tifozëve.
Shehi prej javësh studion skuadrën nga tribunat për të patur idetë e tij të qarta për ekipin që do të ketë në ‘duar’. Mirëpo, nuk do të jetë e lehtë për ish-trajnerin e Tiranës. Durrsaku trashëgon ekipin kampion në fuqi, por në javët e fundit skuadra po kalon një ngërç që duhet zgjidhur sa më shpejt.
Të kuqtë nuk njohin fitore prej 7 javësh në kampionat duke marrë 6 barazime rradhazi dhe një humbje, e fundit ndaj Erzenit. Nëse bëhet një përllogaritje për formën e skuadrave në 5 ndeshjet e fundit, Partizani renditet e parafundit me vetëm 4 pikë, në zonën e rënies.
Shehi do të ketë një mini-fazë përgatitore përpara rikthimit të kampionatit dhe do të japë mendimin e tij edhe për merkaton me drejtorin Abilaliaj që ka deklaruar se do të bëhen 3 blerje të reja. Ndërkohë pritet që një ‘yll’ të largohet dhe kandidatë për shitje janë: Maguette, Cara, Bintsouka apo Mba, me këtë të fundit më favorit për t’u shitur.