
Partizani është një nga kandidatët potencial për të fituar titullin në këtë sezon në Superiore. Të kuqtë e kryeqytetit ndodhen në vendin e dytë me pikë të barabartë me Kukësin kryesues. 24 vite pa titull janë shumë për 15 herë kampionët e vendit, megjithatë tifozët e kuq nuk e braktisën kurrë edhe në kategoritë inferiore, në kohën kur Partizanin deshën ta "shfarosnin" si ekip. U përfol shumë herë që të ndërrohet emri, të ndërrohet stema, madje historia e kësaj skuadre legjendare të fshihet nga futbolli shqiptar.
Por, me mund, me djersë ky ekip u rikthye në sezonin 2013-2014 mes më të mirëve. Mes vështirësive në këtë kategori, të kuqtë arritën të renditeshin në mesin e tabelës me "Shpëtimin" në krye të pankinës. Objektivat ishin të qartë, Partizani i "frikshëm" me fanelën e rëndë të rivalizonte denjësisht për titull. Me në krye drejtuesit e kuq, 15 herë kampionët e vendit u rikthyen duke "luftuar" për trofeun e munguar.
Vitin e kaluar gjithçka u vendos në fund dhe të gjithë shpresuan në një moment që ia dolën në ndeshjen me Teutën. Tifozët mbështetnin skuadrën në "Qemal Stafa", ndërkohë që sy e veshë ishin në Vlorë nga ndeshja Flamurtari - Skënderbeu. Në një moment spikeri i radios gaboi duke raportuar se skuadra vlonjate kishte shënuar golin e parë. Të gjithë gëzuan dhe përpos kësaj vinte goli i Sukajt kundër durrsakëve. Emocionet e mijëra njerëzve në legjendarin "Qemal Stafa" nuk mund të përshkruheshin me fjalë. Por, ai gëzim u thye në moment pasi u mësua se kampionët e Korçës kishin shënuar golin e parë. Edhe në fushë futbollistët u stepën dhe në fund... Erdhën pranë tifozëve me lot në sy si duke i kërkuar falje.
Megjithatë gjithçka u shlye në verë. Drejtuesit u futën në merkato dhe të kuqtë do të merrnin pjesë në Europa League. Në momentin që "motorët" ishin ndezur për t'u përballur me Slovan Bratislavën, UEFA i "ngrin" të gjithë duke i çuar shkresë zyrtare të kuqve për të marrë pjesë në Champions League, pasi Skënderbeu ishte dënuar. "As në ajër, as në tokë", kjo ishte gjendja e lojtarëve dhe e stafit teknik. Pas 23 vitesh të kuqtë e kryeqytetit do të merrnin pjesë në këtë kompeticion të munguar. Kundërshtari i parë i Partizanit ishte Ferencvaroshi dhe asnjë nuk shpresonte në fitore, përveç skuadrës dhe tifozëve besnikë. Përgatitjet ishin maksimale dhe... të kuqtë shkruan historinë. Goli i Realdo Filit dhe pritjet spektakolare të Alban Hoxhës nga 11-metërshat, çuan Partizanin në turin pasardhës. Gjithçka ishte një "ëndërr" që e përkthyer në realitet do të thoshte 1 milion euro në arkat e klubit të kuq. Ndeshja e turit të tretë kundër Salzburgut dhe e Play-Off-it për Europa Leauge nuk foli për Partizanin dhe në këtë mënyrë ata u detyruan të ktheheshin në Shqipëri për të nisur përgatitjet për sezonin 2016-2017.
Fazë përgatitore jashtë vendit, merkato dhe gjithçka u vu në dispozicion nga drejtuesit e kuq. Javët e para të kampionatit bënë skeptikë të gjithë analistët nëpër studio dhe me në krye Adolfo Sormanin Partizani nuk dukej një skuadër për titull. Por, si gjithmonë edhe këtë herë të vetmit që besuan ishin tifozët dhe presidenti Demi. Në pankinën e kuqe pati lëvizje dhe vendin e italianit e zuri Sulejman Starova, i njohur ndryshe si "Bobi". Me në krye "Sulën" e Demit të kuqtë kanë bërë gjithçka mirë. Kanë arritur të barazojnë dy derbi dhe të fitojnë 1 të tillë kundër Tiranës. Ndërkohë ata që morën titullin sezonin e kaluar, këtë vit janë mundur dy herë nga të kuqtë dhe kanë arritur të marrin vetëm një barazim në "Elbasan Arena". Ndërsa verilindorët e Kukësit janë "macja e zezë" për ta, pasi i kanë mundur një herë, ndërsa dy takime janë ndarë në barazim.
Tashmë të gjithë skuadrat janë vënë në "sprintin" final. Partizani kërkon titullin dhe ashtu siç tha edhe Starova pas fitores kundër Skënderbeut: " 24 vite pa titull, kujtoni se nuk na dridhen këmbët në fushë?" gara do të jetë mjaft e fortë deri në fund dhe gabimi më i vogël mund të kushtojë shumë. Mes emocioneve dhe dëshirës për të rikthyer pas shumë vitesh titullin në kryeqytet, të besuarit e Starovës do të japin gjithçka që kanë në "repertorin" e tyre. /NEWSPORT.AL/ Retin TOKA/