
Partizani dhe Erald Çinari kanë një ditë vendimtare sot. Klubi i Kuq ka çuar në CAS vendimin e FIFA për lënien në fuqi të dënimit me bllokimin e dy sesioneve të merkatos dhe dënimin e Erald Çinarit. E gjithë historia ka një zanafillë disa vjeçare, pikërisht në verën e 2018.
Shkodrani Çinari arrin akordin me Alaves në Spanjë, me këta të fundit që e huazojnë te Istra në Kroaci, klub me pronarë të njëjtë. Vllaznia që ishte edhe pronare e kartonit nuk e lejoi lëvizjen, duke mos dhënë lejen e transferimit. Më pas kuqeblutë gjetën akordin me Partizanin për afro 50 mijë euro, me lojtarin që u regjistrua në sistemin e FSHF-së për rrjedhojë edhe në atë të FIFA.
Klubi i Istras e dërgoi çështjen në organizmat ndërkombëtarë, ndërsa ka qenë vetë Vllaznia që nuk e ka njohur transferimin. Pak muaj më parë FIFA u shpreh me një vendim, që dënonte me dy sesione bllokim merkatoje Partizanin dhe katër muaj mos aktivitet për Çinarin. Në total të kuqtë dhe lojtarin morën një gjobë prej 83 mijë eurosh, ndërsa sot çështja do të shqyrtohet në CAS.
Partizani dhe Eraldo Çinari kanë hapur dy çështje të ndryshme për këtë ndodhi, me shqiptarët që kërkojnë drejtësinë sipas tyre të munguar. Në lojë janë katër klube, 2 kontrata dhe një shumë e dyshimtë në llogari bankare në Itali. Partizani ka pajtuar një studio ligjore spanjolle, teksa sot kërkohet drejtësi në Lozanë.