
Jurgen Goxha është lojtari më i ri i Egnatias. Rrogozhinasit janë futur në këtë merkato vere duke bërë afrime cilësore. Qendërmbrojtësi i njohur që ka luajtur me disa ekipe në Superiore është prezantuar sot nga presidenti Agim Demrozi. Projekti i Egnatias është ambicioz dhe në sezonin e ri priten të jenë rivalizues të fortë.
Goxha njihet mirë nga Edlir Tetova, i cili e ka trajnuar gjatë kohës kur të dy kanë qenë te Tirana. Sot, qendërmbrojtësi do të vihet sërish nën urdhrat e tij, teksa me Egnatian ka firmosur një kontratë afatgjatë për 3 sezonet e ardhshme. Eksperienca dhe cilësitë e Goxhajt në qendër të prapavijës e bëjnë atë një futbollist të rëndësishëm.
29-vjeçari durrsak ishte në sezonin e fundit pjesë e Sabail në Azerbajxhan, ndërsa më parë ka luajtur për skuadra si Bylis, Tirana, Erzeni, Shënkolli, Besëlidhja dhe Iliria e Fushë Krujës. Shtatlarti do të nisë menjëherë nga puna duke vënë në dispozicion gjithë potencialin e tij për Egnatian.