Diego Longo nuk do të jetë më trajner i Kukësit. Është klubi verilindor që përmes një njoftimi për mediat bën me dije që italiani nuk do të jetë më në drejtimin e kuksianëve.
Ai falënderohet për kontributin e dhënë. Siç bëhet me dije nga klubi, trajnerit i ka përfunduar kontrata dhe palët kanë zgjedhur të mos e zgjasin bashkëpunimin. Në lajmërimin e bërë për mediet thuhej:
“NJOFTIM I KLUBIT!
FK Kukësi dhe trajneri Diego Longo kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin!
Me fundin e sezonit 2021-2022, ka përfunduar edhe kontrata e trajnerit italian dhe palët kanë vendosur të mos e vazhdojnë bashkëpunimin.
Klubi i Kukësit falënderon trajnerin Diego Longo, asistentin Amedeo Di Latte dhe trajnerin e portierëve Andrea Cardinale për kontributin e dhënë dhe ju uron suksese në karrierën e tyre”.
Kukësi e mbylli sezonin futbollistik në vendin e katërt. Duhet pritur finalja e Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Vllaznisë për të shpresuar një pozicion në Europë. Nëse triumfojnë kurbinasit, shkojnë në turin e parë edhe verilindorët, në të kundërt është Vllaznia ajo që i zë vendin verilindorëve.
