Në media prej disa ditësh aludohej për largimin e tij në Suedi, teksa dhe kjo ishte shkaku që trajneri Lerda nuk e përfshiu në formacionin ndaj Tiranës. Tashmë ka marrë fund dhe dilema për të ardhmen e sulmuesit të Partizanit, Jasir Asani do të transferohet tek skuadra e AIK Stokolm në Suedi. Lajmin e bën të ditur vetë klubi i Partizanit, të cilët sqarojnë se Asani do të qëndroj për dy ndeshjet e ardhshme me klubin dhe më pas do të niset për Suedi.
Njoftimi i klubit të Partizanit:
ZYRTARE
JASIR ASANI TRANSFEROHET TE AIK STOKOLM
Klubi njofton sot arritjen e marrëveshjes së transferimit të Jasir Asanit drejt ekipi suedez AIK. Mesfushori me tipare sulmuese do të kalojë në formulën e huazimit te klubi suedez nga Janari 2020. Klubi i AIK njëkohësisht do të ketë edhe të drejtën e blerjes së kartonit të Asanit në fund të sezonit. 24 vjeçari do të jetë në dispozicion të kampionëve të Shqipërisë edhe për dy ndeshjet e radhës ndaj Teutës dhe Vllaznisë, për të vijuar më pas aventurën e tij të re në kampionatin suedez. Performanca mjaft pozitive e Asanit në radhët e të kuqve, me të cilët u shpall edhe kampion i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane për të përfituar shërbimet e tij, por insistimi i vazhdueshëm i AIK rezultoj edhe oferta më konkrete dhe më e mirë për Asanin dhe Klubin.
Klubi dëshiron të falënderoj Jasir Asanin për kontributin e dhënë me fanelën e kuqe dhe i uron njëkohësisht shumë suksese në aventurën e tij të re.
