
Behar Ramadani është lojtari më i ri i Vllaznisë. Ish-kapiteni i Luftëtarit është zyrtarizuar ditën e sotme nga ana e klubit shkodran.
Përmes një njoftimi për mediet, kuqeblutë bëjnë me dije që mesfushori ka arritur një akord që e lidh atë edhe një vit me shkodranët. Lojtari ka folur edhe për kanalin zyrtar të klubit ku është shprehur mjaft i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshje.
"Behar Ramadani është futbollisti më i ri i Vllaznisë.
Ndonëse kishte disa ditë që ishte arritur akordi dhe lojtari ka nisur
stërvitjen me ekipin, sot ka firmosur edhe kontratën që e lidh atë për një vit
me klubin tonë. Vetë lojtari në një prononcim për faqen zyrtare të klubit është
shprehur i lumtur që rikthehet pas shumë vitesh tek skuadra për të cilën ka
bërë gjithmonë tifozllëk.
"Normalisht gjithmonë rikthimet janë të bukura, aq më tepër kur kthehem tek
këto ngjyra me të cilat jam rritur. Tashmë nuk ka më kohë për fjalë, çdo gjë
duhet t'ia lëmë kohës dhe t'i futemi punës dhe të mundohemi për të dhënë më të
mirën për këtë fanellë dhe për qytetin.
Ndoshta ka qenë edhe çështje fati që nuk kam luajtur shumë në Shkodër. Tek
Luftëtari ka qenë shtëpia ime e dytë, e kam kaluar shumë mirë, atje kam kaluar
vitet më të bukura të karrierës time i kam kaluar në atë qytet të
mrekullueshëm. Sa i takon Vllaznisë vërtetë që kam dhënë shumë pak për të,
kështu erdhën rrethanat por shpresoj që këtë vit të jap më tepër dhe të arrijmë
ato objektiva që ka klubi.
Tek Vllaznia shoh që ka ndryshime, ka ardhur trajner i ri, po vijnë lojtarë të
rinj dhe ajo që mund të them unë është se do të jap maksimumin tim. Sa u takon
tifozëve, ata jo këtë vit por historikisht kanë treguar se i kanë dhënë tonin
futbollit shqiptar dhe ato gjithmonë kanë kërkuar me pasë një Vllaznia sa më të
mirë, konkurrente për titull dhe jo më për pjesët e tjera të kampionatit"-
është shprehur Ramadani për faqen zyrtare të klubit".
Kujtojmë që vitin e shkuar, ai ishte pjesë e Luftëtarit. Ndërsa këtë edicion futbollistik ka zgjedhur të kontribuojë për ngjyrat kuqeblu.