Në takimin e çerekfinales së Kupës që Tirana zhvilloi ndaj Kukësit pak ditë më parë, bardheblutë treguan se mes tyre dhe skuadrave të Superligës nuk ka asnjë ndryshim dhe se ndeshja e dytë ndaj kampionëve në Kukës është e hapur.
90' minutat në ndeshjen e radhës do të vendosin se kush do të shkojë më tej dhe për këtë Tirana ka shpresë së do të jenë bardheblutë që do të vazhdojnë në fazën tjetër. Ndërkohë mësohet se mes drejtuesve të klubit është zhvilluar një takim. Presidenti i klubit Refik Halili ka thirrur në një tavolinë trajnerin, Ze Maria dhe drejtorin e përgjithshëm, Gerti Dajçi.
Temë diskutimi kanë qenë objektivat e klubit për të ardhmen. Synimet dhe dëshirat që ata kanë për sezonin e ardshëm duke projektuar në të njëjtën kohë skuadrën e Superiores. Mësohet se në këtë takim është folur për mundësinë e rinovimit të kontratës me trajnerin brazilian edhe për një vit.
Parimisht është arritur një akord me Ze Marian, ndërkohë që po punohet për plotësimin e skuadrës me elementë të rinj që do mund të bëjnë diferencën në Kategorinë e Parë ku bardheblutë ndodhen për momentin për të vazhduar më pas me planet për ngjitjen në Superligë.