
Zekerija Ramadani është prezantuar si trajneri i ri i skuadrës së Prishtinës. Trajneri i njohur ka zënë vendin e Armend Dallkut, i cili u shkarkua nga drejtuesit rreth dy javë më parë.
Ramadani, një emër i njohur në kampionatin shqiptar pasi ka drejtuar në vitin 2016-të Flamurtarin e Vlorës, tashmë merr përsipër të çojë aty ku i takon ekipin e Prishtinës. Në fjalën e tij për kanalin zyrtar të klubit, ai është shprehur:
"Është privilegj i madh për mua të udhëheq Prishtinën. Patjetër që do të jetë përgjegjësi, sepse Prishtina është klubi ndër më të mëdhenjtë në rajon.
Dhe, normalisht që duhet punuar shumë që të arrihet objektivi. Ishin të qartë edhe drejtuesit të cilët i falënderoj për besimin që më dhanë për të drejtuar ekipin e Prishtinës. Shpresoj dhe besoj që deri në fund t'i arrijmë objektivat duke besuar në kolektiv, duke besuar në stafin teknik dhe duke besuar edhe në drejtuesit".