
Pas kthimit nga Turqia, për mikorofonin e "Super Sport" ka folur Sabien Lilaj, i cili arriti të lërë gjurmë në suksesin që Shqipëria arriti në Antalia në miqësoren ndaj Turqisë. Lilaj ka folur për këtë eksperiencë duke zbuluar detaje interesante, duke shtuar ndër të tjera se dhe lojtarë të tjerë si ai në kampionat, i kanë cilësitë të jenë pjesë e Kombetares, por kushtet përgatitore penalizojnë këta të fundit për të dhënë 100 për qindëshin në fushën e lojës.
"Natyrisht që jam i lumtur për rikthimin në Kombëtare dhe mbi të gjitha që pata mundësitë të luaj dhe të tregoj cilësitë e mia. Nuk e kam pasur asnjëherë obsesion ftesën nga Shqipëria, por jam përqendruar gjithmonë në fushën e lojës, për të dhënë më të mirën dhe përmirësuar, pasi e dija se nëse do të isha në formë, do të mbërrinte edhe grumbullimi. Në Kombëtare ka futbollistë që luajnë në Europë dhe kanë kushte mjaft të mira përgatitore, ndërsa ne jemi disi mbrapa në këtë drejtim, por besoj që me punë, edhe Superliga mund të nxjerrë lojtarë të vlefshëm për Shqipërinë", u shprehu Lilaj.
"Ylli" i Skënderbeut ka folur dhe për lëndimin që ai ka pësuar në dorën e majtë, duke zbuluar se sa kohë do mungojë.
"Ndjeva dhimbje gjatë gjithë natës në hotel, ndërsa me të mbërritur bëra konsultat e duhura dhe më rekomanduan allçinë. Besoj se për 3 javë do të qëndroj jashtë, duke punuar vetëm me vrapime të lehta", ka thënë në fund Sabien Lilaj.