
Xhuliano Skuka është në qendër të vëmendjes së medieve në këtë sesion të merkatos së dimrit. Sulmuesi i Partizanit ka ngjallur interes në Itali, teksa mediet përtej Adriatikut raportojnë edhe ofertat e mbërritura në dyert e klubit të kuq. Megjithatë deri më tani nuk ka asgjë konkrete, teksa drejtuesit janë shprehur se nuk do ta lëshojnë dibranin.
Sipas "Transfermarkt" kartoni i tij vlen 500 mijë euro. Deri më tani, Skuka ka shënuar 10 gola në 15 ndeshje që është aktivizuar. Potenciali i 24-vjeçarit është i jashtëzakonshëm dhe kjo nxitur klubet e Seria A të hedhin "grepin" drejt Shqipërisë.
Merkato në vendin tonë shpesh herë është treguar e çuditshme. Vetëm pak kohë më parë në të njëjtën situatë ishte edhe Redon Xhixha. Sulmuesi i Tiranës aktualisht është golashënuesi më i mirë i elitës me 11 të tillë dhe 1 asist të dhënë.
Për kurbinasin ka pasur interes nga disa skuadra. Mirëpo, drejtuesit bardheblu vështirë se do ta lëshojnë. Edhe në "Transfermarkt" vlera e Xhixhës është më e madhe se e Skukës. Anësori i kampionëve vlerësohet me 550 mijë euro.