
Partizani i shpëtoi një humbjeje që do të ishte e tepërt në shtëpi përpara tifozëve të kuq që kishin mbushur thuajse gjysmën e kompleksit ‘Arena e Demave’. Demat barazuan 1-1 me Egnatian që po dominon futbollin shqiptar këtë sezon. Golin e vetëm për të kuqtë e shënoi Xhuliano Skuka në fund të takimit.
Skuka hyri në fushën e lojës në minutën e 57’ dhe entuziazmi në shkallët e stadiumit u ndje edhe nga televizori. E si mund të ndodhte ndryshe, ai e njeh mirë atë fushë dhe s’kishte si të mungonte goli i tij në ‘Arenën e Demave’.
Një nuhatje e frikshme prej një bomberi të vërtetë, një prekje e lehtë mes 2 mbrojtësve kundërshtarë i jep Skukës autorësinë e golit në minutën e 90’ dhe festën legjitime me tifozët e kuq. Dukej si ‘Deja-Vu’ teksa në mendje të vinin rastet e pafundme ku Skuka bënte dashamirësit e kuq të brohorisnin e të duartrokisnin numrin 9 të Partizanit.
Skuka shënoi golin e parë në kampionat pas rikthimit te Partizani, një gol me peshë të madhe që vjen përballë liderit absolut të sezonit, Egnatias e cila duhet theksuar që s’e ka mposhtur kurrë Partizanin, madje të kuqtë i kanë ‘marrë’ edhe Superkupën.
E rradhës është ndaj Dinamos në derbin që do të zhvillohet në Durrës. Goli i rradhës për Skukën? S’është çudi…