
Mesfushori Engjëll Hoti, i cili u largua nga Tirana për të kaluar te rivalët e Partizanit bëri bujë në merkaton e verës. Ky sezon ka nisur me luhatje për të, dëmtimet, gjendja fizike jo e mirë, humbja e turpshme në derbi por së fundmi ka gjetur formën teksa në ndeshjen e fundit shënoi një dygolësh për ta mbajtur Partizanin në krye. I futar në emisionin “Sport News” të moderatores Trevisa Tufa në News 24, ai foli për situatën te ekipi i tij pa harruar dhe Tiranën.
Fjalët e Colella-s pas ndeshjes me Teutën? - Trajneri bëri shaka kur tha se kur ka qenë hera e fundit që ke shënuar 2 gola. Në pjesën e parë e nxora pak kaviljen keq. Gjithsesi, gjërat kanë shkuar mirë. Rëndësi kanë 3 pikët.
Objektivat - Partizani kërkon çdo vit që të jetë lart, të luftojë për titullin. Ne kemi grup të balancuar mirë. Ndeshjet i marrin një nga një dhe trajneri na ka dhënë lirinë e duhur. Unë mendoj se me këtë ekip që kemi, jemi duke dominuar çdo rival. Me rëndësi është që të realizojmë sa më shpejt. Ne me skemën 4-3-1-2, trajneri kërkon që të mos zbresim shumë.
Kur u largova nga Tirana, e kam patur mendjen të shkoj në shtëpi. Kur u lajmërua drejtor Marini, u binda me një takim. Pas takimit e kam vendosur që të qëndroj dhe jam i lumtur me zgjedhjen për të ardhur te Partizani.
Trajnerët Mehmeti dhe Colella - Me Mehmetin e nisëm mirë. Kur erdhi Colella, u desh pak kohë që të përshtatemi. Ai e di se çfarë dëshiron. Mendoj se po na ndihmon dhe po na frymëzon. Tekniku po na mban më shumë në stërvitje.
Derbi ndaj Tiranës - Derbi shkoi si shkoi. Kemi bërë gabime individuale. E kemi ditur si luan Tirana, por nuk menaxhuam dot.
Skuka apo Xhixha? – Kam patur edhe Xhixhën vjet në ekip, ai ka çdo ndeshje raste pafund për të shënuar. Unë shpresoj që del Skuka golashënues pasi e kam bashkëlojtar.
Kë do pranoje, Kosovën apo Shqipërinë - Kënaqësi është të jesh pjesë e Kombëtares. Ne jemi një. Nëse vjen situata, do luaja me njërën prej tyre.” – u shpreh Hoti.