
Vllaznia do luajë sot ndaj Laçit ndeshjen e javës së 22-të të kampionatit, në orën 14:00. Kjo transfertë për Vllazninë duket se nuk është përgatitur ashtu siç duhet për shkak të rreshjeve të dëborës që kanë rënë ditët e fundit.
Ndryshimi i kohës ka bërë që planet e shkodranëve të prishen dhe skuadra të mos marrë ngarkesën maksimale nga seancat stërvitore. Ditën e hënë ishte planifikuar që ekipi të zbriste në fushë të hapur, por nuk ka ndodhur kështu.
Ekipi nën drejtimin e trajnerit Ernset Gjoka është detyruar që dhe ditën e martë të stërvitet në një prej kaleçetove të qytetit. Të dielën ndeshje, të hënën pasdite në palestër dhe të martën në kalçeto, kjo tregon se stërvitja për ekipin shkodran nuk ka qenë ajo e duhura, çka do të thotë se Vllaznia sot do zbresë në fushë ndaj Laçit pa asnjë seancë të plotë stërvitore.