
Vllaznia e këtij sezoni u ndërtua për të luftuar deri në fund për titullin kampion. Mirëpo planet nuk shkuan siç duhet për shkodranët, të cilët tashmë rrezikojnë seriozisht edhe Kupat e Europës. Skuadra e drejtuar nga Goce Sedloski duhet të bëjë llogaritë edhe pa Erdenis Gurishtën. Kapiteni i shkodranëve ka mbyllur para kohe sezonin. Dëmtimi i pësuar në ndeshjen kundër Egnatias në datën 30 prill ka rezultuar më i rëndë se sa mendohej.
Gurishta po vuan nga muskujt e barkut dhe i është kërkuar nga mjekët të qëndrojë për 3 javë pushim. Kësisoj kuqeblutë duhet të improvizojnë krahun e djathtë të mbrojtjes pasi edhe Gerald Smajli mungon për shkak të problemeve me meniskun. Pritet të shihet se cili do të jetë fundi i këtij sezoni futbollistik, me shkodranët që u futën si favoritë për titull, por aktualisht janë edhe jashtë zonës së Europës.