
3 mars 1950 është viti kur Ministria e Brendshme e Shqipërisë krijoi zyrtarisht ekipin e futbollit ‘Dinamo’. Kaluan vite e dekada dhe blutë u bënë një ndër skuadrat më të rëndësishme në vend duke shkruar historinë në futbollin shqiptar. Plot 33 trofe të fituara, 18 tituj kampion, 13 Kupa dhe 2 Superkupa e bëjnë Dinamon ekipin më të titulluar pas Tiranës.
73 vite më vonë, Dinamo i nënshtrohet një revolucioni me themel të padëgjuar më parë në futbollin shqiptar. Ekipi i është besuar presidentin Ardian Bardhi i cili ka sjellë me vete edhe 3 investitorë të fuqishëm si biznesmenët e njohur Edmond Spaho, Ergys Agasi dhe Genc Mataj.
Është ndërruar edhe emri duke u bërë në ‘Dinamo City’ ndërsa logo i është përshtatur asaj të Manchester City, ekipit me të cilin është bërë një ‘binjakëzim’. Edhe fanellat e reja kanë devijuar paksa nga ato tradicionalet duke iu përshtatur gjigantëve anglez.
Megjithatë, ajo ç’ka bie në sy është një detaj te logo e re. Nuk shihet më viti 1950 si ai i krijimit që të gjithë klubet e përdorin, por është vënë viti 2023. Ky revolucion mund të jetë një fillim i ri, por kjo nuk e mbulon faktin që ‘Nëndetësja’ në 73 vjet jetë i ka dhënë tonin futbollit shqiptar. Edhe vetë Manchester City ka ndryshuar disa herë logon e fanellën, por vitit i krijimit 1894 nuk ka lëvizur asnjëherë.
Sigurisht që kjo kurrësesi nuk mund të jetë një ‘fshirje’ e historisë por ndoshta një veprim i nxituar i atyre që kanë dizenjuar logon e re. Në fund të fundit, Dinamo nuk është shkrirë…