
Roma dhe Feyenoord luajnë nesër në 21:00 për finalen e Conference League në Tiranë, teksa nuk kanë munguar përleshjet në kryeqytet. Dy tifozë janë dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë. Mësohet se në zonën e njohur si “9 katëshet” te Bar Europa, tifozët janë përleshur mes tyre ku policia ka mbërritur me shpejtësi. Kanë qenë tifozët e Feyenoord dhe ata shqiptarë që janë përplasur me grushta.
Dy tifozë mësohet se kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë transportuar me urgjencë te spitali i Traumës.
Burime nga vendngjarja raportojnë se tifozët holandezë kanë qenë në gjendje të dehur, teksa janë konfliktuar me shqiptarët, ku siç shihet në videon e mëposhtme ka njolla gjaku në tokë. Gjithashtu mësohet se tifozi shqiptar është në gjendje më të rëndë, duke qenë në kujdesin intensiv të mjekëve.
Burime nga Spitali i Traumës për newsport.al, bëjnë me dije se 45 vjeç është koshient dhe komunikon me mjekët. Edhe plaga që qytetari i Tiranës ka në kokë është sipërfaqësore dhe është mjekuar. Mjekët janë duke bërë ekzaminime të mëtejshme për t'u siguruar për gjendjen e pacientit.