
Në Cesena u deshën goditjet e penalltive për të “thyer” rezistencën e Virtus Entella-s dhe për të kaluar turin e Kupës së Italisë, duke u kualifikuar kështu në të 32-at.
Epërsi e dyfishtë e Cesenes në pjesën e parë me golat e sulmuesit të kombëtares shqiptare, Kristian Shpendit dhe Ciofit, në pjesën e dytë Entella barazoi me Meazzi, i cili shënoi dy herë. Klubi ku aktivizohet Shpendi fitoi në penallti dhe kaloi në turin tjetër të Kupës.
Pas ndeshjes protagonisti i kësaj sfide, shqiptari Kristian Shpendi foli për ndeshjen dhe largimin e vëllait të tij drejt Empolit.
“Jam i lumtur që e nisa ndeshjen e parë zyrtare me gol. Përgjegjësia është pjesë e kësaj pune dhe unë jam i lumtur ta marr atë. Mund të kisha shënuar edhe një gol të dytë në pjesën e dytë, por e rëndësishme është që ia dolëm. Mungesa e Stivenit? Po e jetoj mirë faktin që nuk është aty. Do ta ndjek dhe jam i lumtur për të”, u shpreh Kristian Shpendi.