
Ardit Krymi po bëhet javë pas jave protagonist në Bjellorusi me ekipin e Shakhtyor Soligorsk. Ish-mesfushori i Vllaznisë u transferua verën e shkuar nga kampionati shqiptar në atë bjellorus dhe menjëherë arriti t’i bënte vend vetes në taktikat e trajnerit kryesor.
Ditën e sotme ai ka gjetur edhe golin e tij të parë me fanellën e Soligorsk të cilët u përballën me Ostroverts. Në minutën e 16’, Krymi do të nuhaste mjaft mirë golin teksa do të gjendej i vetëm përpara portës dhe me një penallti në lëvizje do të tundte rrjetën e parë të sfidës. Ndeshja do të përfundonte më pas me fitoren e Soligorsk 3-1.
Një tjetër mesazh për trajnerin Sylvinho i cili do të ketë shumë punë në përzgjedhjen e tij të parë të Shqipërisë. Kombëtarja po futet në një epokë të re dhe shumë lojtarë janë të gatshëm të bëhen pjesë e kësaj epoke.