
Prokuroria shqiptare ka pezulluar hetimin ndaj Skënderbeut për mungesë provash. Klubi korçar po hetohej nga organet kompetente për fiksime dhe paracaktime rezultatesh. Megjithatë raporti i UEFA-s i vënë në dispozicion nga FSHF-ja nuk ka nxjerrë asnjë provë që e implikon klubin e Skënderbeut në trukimet e ndeshjeve.
Pas këtij lajmi, Tefik Osmani ka reaguar në një mënyrë krejt të veçantë. Ai ka zgjedhur të postojë në facebook-un e tij, momentin e prononcimit pas ndeshjes kundër Flamurtarit.
"Normalisht do na ndjekin gjithmonë të enjten. Ne derisa na urrejnë këtu në Shqipëri, imagjino do na dashka UEFA", ishin fjalët e tij pas fitores së arritur javën e shkuar në Vlorë kundër Flamurtarit me rezultatin 3-0.
Një mënyrë e zgjedhur kjo nga qendërmbrojtësi i njohur si për të treguar që nuk ka asnjë lloj prove të besueshme që klubi korçar të jetë i përfshirë në fiksime dhe paracaktime rezultatesh.