
Duhej të ishte një garë sportive, por ajo që ka ndodhur sot në Delvinë kapërcen çdo lloj kufiri. Gjyqtari kryesor, Xhulio Agolli është dërguar me urgjencë në spital pasi është goditur me sende të forta nga tifozët vendas. Një pretendim për 11-metërsh nga ana e tyre ka bërë që mbështetësit pas porte mos të përmbahen.
Është kryesori ai që e ka pësuar në pjesën e dytë të takimit. Ka ndërhyrë menjëherë stafi mjekësor që i ka dhënë ndihmën e parë. Më tej gjyqtari është dërguar në spital për të marrë ndihmën e specializuar.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 58-të të saj teksa rezultati ishte në barazim 0-0. Tashmë kjo sfidë do të jetë subjekt i Disiplinës ku padyshim pritet dënim i ashpër për tifozët por edhe klubin për mosmarrjen e masave në mënyrën e duhur.