
Ndarja e parakohshme nga jeta, në moshën 66-vjeçare e ish-futbollistit të njohur, Vasillaq Zëri, ka tronditur mbarë opinionin publik. Njeriu që i dha shumë lojës më të bukur në botë, nuk e dribloi dot sëmundjen e rëndë.
Të gjithë sportdashësit shqiptarë mund të kujtojnë me nostalgji vallëzimin e tij me topin, ndërsa neësport.al iu sjell një nga momentet më të bukura të karrierës së tij.
Plot 37 vite më parë, Zëri ishte heroi i kryeqytetit që mposhte skuadrën e Tiranës, asokohe 17 Nëntorin, teksa luante me ekipin e Dinamos. Në stadiumin legjendar "Qemal Stafa" luhej finalja e Kupës së Shqipërisë, e vitit 1982, mes ekipit dinamovit dhe bardhebluve.
Në minutën e 37-të gjeniu Zëri me intuitë arrin ta çojë topin në rrjetë duke kalibruar saktë të djathtën e tij. Gol që në fund i dha trofeun e 10-të të Kupës së Shqipërisë skuadrës së Dinamos.
Sot, 37 vite më pas, futbolli shqiptar vajton humbjen e parakohshme të tij. Sëmundja e kobshme nuk i dha mundësinë të shijonte apo të shlodhte muskujt e tendosur për vite me radhë në kampionatin shqiptar. /Newsport.al/