Humbja e Tiranës 2-1 në Durrës kundër Teutës, vijon të diskutohet ende në panelet sportive. Të shumtë janë ata të cilët janë pajtuar me vendimet e gjyqtarit Eldorian Hamiti. Ndërsa ka të tjerë që kritikojnë punën e gjyqtarit lezhian. Një ndër ta është Lorenc Jemini. Ish arbitri i Superiores ishte mbrëmë në rolin e moviolistit në panelin e emisionit “Procesi Sportiv”.
Ai diskutoi në tërësi gjykimin e Hamitit, ndërsa u ndal veçanërisht te kartoni i verdhë ndaj Ardit Hilës. Fillimisht Jemini tha: “Për mua kjo është faull, por jo karton i verdhë. E ka shkelur lojtari i Teutës atë të Tiranës. Jo Hila”, përfundoi ai.
Në këtë moment ndërhyri moderatori Edi Manushi duke ndaluar videon aty kur shkaktohet faulli. “Kjo është për të vënë duart në kokë, jo vetëm karton i verdhë”, i tha ai. I zënë ngushtë nga të gjithë në studio, Jemini ndryshoi më pas mendim: “E mirë qenka karton i verdhë”. Nga sulmi që po bënte ndaj Hamitit, ai u tërhoq dhe në fund tha: “Arbitri nuk gaboi”.