Tirana fitoi Superkupën e Shqipërisë ndaj Vllaznisë, mbrëmë në Air Albania. Bardheblutë marrin kështu trofeun e 12 të Superkupës dhe të 54-tin në total duke thelluar diferencën me ndjekësit. Ndeshja do të ishte emocionuese nga fillimi deri në fund me Vllazninë që shënoi e para në minutën e 7 me Malan por kampionët do të barazonin me një supergol të Patrick në të 39’-tën.
Në fillimin e pjesës së dytë, Hasani do të kalonte në epërsi bardheblutë ndërsa Latifi do rikthente baraspeshën me penallti 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt. I gjithë stadiumi do të ngrihej në këmbë në minutën e 92’ kur Redon Xhixha, i cili po bëhej gati për të dalë, nuhat një top në zonë dhe i jep fitoren Tiranës.
Pas mbylljes së ndeshjes, heroi i Tiranës, Redon Xhixha do të shkonte në tribunën përballë ku do të takonte tifozët e tij më të zjarrtë, familjen e tij që nuk e lë asnjëherë vetëm në ndeshjet e sulmuesit.