Ardian Beqiri ka zgjedhur të jetë sa më pranë futbollit. Gjyqtari i njohur i Superiores së fundmi ka përfunduar me sukses kursin për trajner atletik. Lajmin e ka bërë me dije Federata Shqiptare e Futbollit. Nëpërmjet një njoftimi në kanalin zyrtar të FSHF-së thuhej: “Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përmbyllur me sukses kursin e parë për përgatitës atletikë për vitin 2023, ku u diplomuan 21 trajnerë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.
Ky kurs që nisi në muajin janar të këtij viti zgjati tre muaj, me rreth 100 orë në total dhe në ndryshim nga edicionet e kaluara, veç lektorëve shqiptarë, studentët e regjistruar kanë pasur mundësinë të mësojnë edhe nga profesorë të përgatitjes atletike nga Italia, por edhe nga vende të tjera të Euroës. Gjithashtu, edhe përgatitësit atletikë të licencuar nga FSHF, të cilët punojnë në klubet shqiptare kanë ndarë me studentët e këtij kursi eksperiencat e tyre në këtë profesion.
Ditën e sotme u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 21 pjesëmarrësit në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’, teksa të pranishëm ishin drejtuesi e Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova, si edhe trajneri i përgatitjes atletike, Iris Selimi.
Në një prononcim për fshf.org, Selimi tregoi edhe risitë e këtij kursi, ndërsa nënvizoi edhe njëherë tjetër rëndësinë e figurës së përgatitësit atletik. Ndër të tjera, trajneri i mirënjohur theksoi se duke nisur nga ky vit, çdo ekip duhet të ketë në stafet e tyre një figurë të tillë, çka rrit edhe mundësinë e punësimit.
“Sot përfunduam me sukses kursin e radhës të përgatitësit atletik për vitin 2023. Një kurs intensiv që zgjati katër javë, rreth 100 orë në total, ku kanë marrë pjesë rreth 25 studentë nga Shqipëria dhe Kosova. Në këtë kurs kanë dhënë mësim lektorë shqiptarë dhe të huaj, përgatitës atletikë të ekipeve më të njohura të Italisë, po ashtu edhe internacionalë. Sot e dimë rëndësinë e përgatitësit atletik, që po kthehet edhe në një figurë shumë të kërkuar edhe në stafet e ekipeve. Po të shikojmë në klubet e mëdha, ky rol është i mbuluar nga 4 ose 5 përgatitës atletikë. Në Shqipëri nis nga ky vit, pasi Federata Shqiptare e Futbollit e ka vendosur si kusht që çdo ekip të ketë një përgatitës atletik në stafet e tyre në kampionatet e ‘Abissnet Superiore’ dhe Kategorisë së Parë. Kjo gjë do të rrisë sigurisht edhe mundësinë për t’u punësuar” – tha trajneri Iris Selimi, i cili tregoi edhe se kush ishin risitë e këtij edicioni të kursit.
“Risitë e këtij kursi, përveç lektorëve të huaj dhe të mirënjohur në rang botëror, risi ka qenë edhe mësimdhënia nga përgatitësit tanë atletikë, që janë licencuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ata janë sot të punësuar në disa ekipe shqiptare dhe kanë dhënë leksione dhe kontributin e tyre në këtë kurs duke shpjeguar edhe risitë në lojën e futbollit. Në këtë kurs kemi pasur edhe pjesëmarrjen e 5 vajzave, të cilat kanë kaluar me sukses provimin dhe janë gati të ndjekin ëndrrën e tyre që është futbolli. Siç e dimë, FSHF ka investuar shumë në futbollin e vajzave dhe urojmë që edhe në kurset e ardhshme të kemi sërish vajza pjesëmarrëse” – tha për fshf.org, Iris Selimi, i cili ftoi të interesuarit të bëhen pjesë e kurseve të radhës. “Nuk mbaron këtu detyra e përgatitësit, sepse ky është një rol gjithmonë e në formim. Ne kemi kurset e përditësimit dhe bashkë me FSHF-në po përgatisim edhe kursin e radhës. Ju ftoj të jeni sa më të shumtë në numër” – përfundoi Iris Selimi.
Një nga studentet e këtij edicioni të kursit të përgatitjes atletike ishte edhe Lumturie Muhadri, nga Kosova. Në një prononcim për fshf.org, Lumturia vlerësoi të gjithë kursin, ndërsa shprehu mirënjohjen edhe për lektorët e kursit dhe për eksperiencën e marrë gjatë këtyre tre muajve. “Jam Lumturie Muhadri, vij nga Kosova. Jam marrë me futboll gjithë jetën. Ky kurs ka qenë shumë i mirë për mua, kam marrë një eksperiencë shumë të mirë. Besoj dhe shpresoj që do të më hyjë në punë tani dhe në të ardhmen. Kemi pasur profesorë nga gjithë Evropa dhe besoj se jam me fat që kam pasur profesorë Luigi Febbrarin dhe Iris Selimin. Kam pasur fat që kam marrë pak nga eksperienca e tyre si profesorë të përgatitjes atletike” – tha Lumturia, e cila u shpreh se kursi i ka shërbyer shumë, pasi ka plotësuar shumë mangësi që ka pasur, ndërsa ka një thirrje edhe për të gjithë miqtë e saj.
“Duke marrë parasysh që përgatitja fizike është baza kryesore e një ekipi apo futbollisti, besoj dhe shpresoj që ky kurs do të më shërbejë në të ardhmen time. Do të punoj shumë dhe eksperiencën time që kam marrë nga profesorët e ndryshëm në këtë kurs, do ta shërbej edhe në Kosovë. Para se të vija në këtë kurs kam menduar se di shumë gjëra, sepse punoj si trajnere fitnessi. Por, pasi ndoqa këtë kurs, kuptova që kam pasur disa mangësi. Gjithë jetën duhet të mësojmë dhe të studiojmë, por ky kurs më ka dhënë eksperiencë shumë të madhe. Ia sugjeroj të gjithë miqve që kanë dëshirë dhe duan ta vazhdojnë karrierën si përgatitës atletikë. Le të vijnë dhe ta bëjnë këtë kurs” – tha studentja Lumturie Muhadri për fshf.org”.