
Kombëtarja shqiptare arriti një fitore jetike përballë Ishujve Faroe teksa i mposhti me rezultatin 1-3. Golat e Bajramit, Asllanit dhe Muçit ndezën festën kuqezi në fushën e lojës por festa më e zjarrtë ndodhi në dhomat e zhveshjes.
Lojtarët, stafi teknik me në qendër Sylvinhon, zyrtarët e FSHF me presidentin Duka në krye, të gjithë festuan këtë fitore që ngre në kulm moralin e skuadrës. Tekniku brazilian ka sjellë një frymë që mungonte prej vitesh në Kombëtare dhe gjatë festës ai mbajti një fjalim të shkurtër.
“Dua t'ju shoh të gjithëve në sy. E merituat, festoni dhe duhet të ktheheni duke endërruar. Luajtët bukur, e meritoni, e meritoni. Keni nevojë për disa hapa më shumë. Shijojini shumë këto pushime, përshëndeteni çdo pjesëtar të familjes suaj, por gjithashtu kthehuni përsëri dhe ëndërroni. Duhet të bëni akoma, akoma, akoma, akoma më shumë. Tani, FESTOJMË”, thotë Sylvinho dhe më pas rinis festa e çmendur.