
Një episod i trupshëm ka ndodhur ditën e sotme në futbollin e moshave. Në ndeshjen e javës së 11-të të Kategorisë Superiore U-17, u përballën Akademia e Futbollit me Skënderbeun, e përfunduar në barazim pa gola. Pak momente para fundit të ndeshjes një konflikt në fushë mes dy lojtarëve ka sjellë një përplasje të madhe mes dy ekipeve por edhe tifozëve të pranishëm të cilët godasin lojtarin e Skënderbeut.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i korçarëve që dënojnë ashpër dhunën e ushtruar ndaj tyre, në llogarinë e tyre në Facebook.
“REAGIM!
E turpshme ajo që ka ndodhur sot në takimin Akademia e Futbollit - Skënderbeu 0-0 e vlefshme për Kategorinë Superiore U17!
Tifozët e ekipit pritës, godasin me grushta lojtarët bardhkuq gjatë një faulli në vijën anësore pranë tribunës duke shkaktuar dëme fizike serjoze tek njëri prej lojtarëve tanë.
Skandaloze dhe aspak Fair-Play ajo situatë e ndodhur sot duke rrezikuar jetën e fëmijëve.
Kërkojmë publikisht nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe organet kompetente marrjen e masave disiplinore ndaj ekipit pritës dhe zbatimin me rigorozitet të regullores në lidhje me masat organizative të cdo klubi apo Akademie.
Sot ndeshja dështoi sepse nuk kishte masa sigurie për zhvillimin e ndeshjes.
Ne nuk mund të rrezikojmë jetën e femijëve në emër të Futbollit.”- shkruan Akademia Skënderbeu.