
Projekti i klubit të Valbonës është mjaft ambicioz. Skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja do të synojë në këtë sezon futbollistik ngjitjen në Kategorinë e Parë. Megjithëse lufta duket mjaft e ashpër, investimi i drejtuesve dhe përvoja e Kërnajës si trajner në këtë kategori, pritet të japë frytet e veta.
Sot, skuadra tropojanë ka zbritur në fushë duke zhvilluar seancën e radhës stërvitore, nën drejtimin e Kërnajës. Klima në skuadër është pozitive dhe të gjithë janë gati për të bërë më të mirën për të fituar një vend titullari.
Aktualisht skuadra e Valbonës ndodhet në vendin e gjashtë me 7 pikë, 3 më pak se Veleçiku i vendit të parë. Skuadra tropojane do të luajë në një transfertë të vështirë si ajo e Vorës. Takimi me vorakët është programuar të zhvillohet në orën 14:00, të martën e datës 1 nëntor, ku do të inaugurohet dhe stadiumi i rikonstruktuar.