Bolivar fitoi dje 2-0 me Blooming në ligën e parë të Bolivisë. Për vendasit në fushë ishte nga fillimi edhe Armando Sadiku. Sulmuesi 29 vjeçar u aktivizua për 90 minuta në fitoren e të tijve, pa mundur të lërë gjurmë duke mos tundur rrjetën. Tej mungesës së golit, ajo që bie në sy është se elbasanasi ka humbur sërish disa raste të pastra.
Në pamjet më poshtë duket sulmuesi i Kombëtares që vetëm përballë portierit mik bën më të vështirën, teksa në një tjetër rast nuk e dërgon topin në rrjetë nga brenda zone, thuajse një 11 metërsh në lëvizje. Kjo është ndeshja e tretë që Sadiku ka shpërdoruar disa raste shënimi, teksa trajneri ka vendosur duart në kokë.
Prej largimit nga Erzumspor në Turqi, Sadiku duket se është ambientuar me futbollin latin, ndërsa nuk ka shënuar ende gol. Prej thuajse një viti, Sadiku nuk po mund të gjejë rrjetën rregullisht. Kujtojmë se pak muaj më parë, sulmuesi kaloi një dëmtim që e la jashtë për shumë kohë.