
Përpara sfidës së sotme që Interi do të zhvillojë përballë Portos në “Dragao” foli mesfushori zikaltër Hakan Calhanoglu. Turku u shpreh optimist për “SportMediaset” për kualifikimin pas fitores në ndeshjen e parë 1-0.
“Ne duhet ta mbajmë këtë përqëndrim dhe këtë zjarr brenda nesh”, shprehet Calhanoglu. “Ne duhet të ecim përpara në Champions League dhe e dimë se çfarë na pret. Tashmë kam luajtur një herë këtu, e di mirë atmosferën që do të gjejmë.
Çfarë shkoi keq këtë vit? Nuk dua të flas keq për atë që nuk shkon, e rëndësishme është të jemi gati. Ajo që ndodhi të premten ka kaluar tani, ne i kemi analizuar gabimet dhe jemi përgatitur mirë për Champions. E pashë ekipin shumë mirë, ne duam të kalojmë turnin.
A është e njëjta situatë si para Barcelonës? Në futboll, këto gjëra ndodhin për mirë ose për keq. Ne duhet të qëndrojmë së bashku dhe të tregojmë forcën tonë. Mund të rikthehemi menjëherë dhe sigurisht që do të bëjmë shumë mirë.
Çfarë do ta bëjë dallimin? Vendosim zemrën në fushë, të jemi të bashkuar siç kemi bërë gjithmonë në ndeshjet e Champions League. Nëse e bëjmë këtë jam i sigurt se do të kalojmë."