
Sabah Bizi ka ndërruar jetë ditën e sotme. Legjenda e Kombëtares shqiptare ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 79-vjeçare, me futbollin shqiptar që tashmë “qan” shuarjen e një tjetër “ylli”.
Bizi ka patur një karrierë të pasur në futboll, ku ka mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare. Gjithashtu pas pensionimit ka drejtuar Vllazninë e Veleçikut, teksa tek shkodranët ka mbajtur edhe postin e sekretarit, si dhe ka drejtuar edhe ekipin e moshave.
Kush është Sabah Bizi, futbollisti që u çoi tituj Shkodrës dhe Partizanit?
Bizi ka lindur në Shkodër më 26 janar 1948, në një shtëpi pranë stadiumit, aty ku më pas u dashurua shumë shpejt me futbollin. Dëshira e madhe e tij për futbollin bëri që shumë shpejt të bëhej pjesë e ekipit të moshave te Vllaznia, ndërsa si futbollist ka debutuar në moshën 17-vjeçare.
Që në vitin 1965 u aktivizua në të gjitha ndeshjet e Kupës së Republikës, madje në fund të këtij aktiviteti Vllaznia u shpall fituese e saj dhe Sabah Bizi la gjurmë në këtë sukses të ekipit shkodran. Që nga ai moment nuk ka munguar më në asnjë moment në fushat e blerta deri në moshën 34-vjeçare kur edhe ka lënë futbollin, pikërisht ne vitin 1982.
Viti 1968 ishte viti kur ekipi i Partizanit kërkoi përforcime dhe mori disa lojtarë në ekip. Një prej tyre ishte edhe Sabah Bizi, i cili mbajti veshur fanellën e kuqe për 3 sezone. Me “Demat” fitoi 2 tituj kampion dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1971 u rikthye sërish te Vllaznia. Me shkodranët luajti deri në vitin 1982, vit kur vendosi të varte këpucët në gozhdë.
Gjatë këtyre viteve do të shpallej edhe tre here te tjera kampion pikërisht në sezonet 1971-72, 1973-74 dhe 1977-78. Njëkohësisht do të fitonte edhe tre Kupa të tjera të Republikës, pikërisht në sezonet 1971-72, 1978-79 dhe 1980-1981.
Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi ka qenë një nga figurat kryesore të kombëtares shqiptare, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Bekembauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç.
Por Bizi ndeshjen më të mirë me kombëtaren, konsideron atë me ekipin e Polonisë. Një takim i mbyllur në barazim 1-1. Ai nuk harron që asaj kohe në gjithë kolonat që gazeta “Sporti Shqiptar” kishte shkruar për këtë ndeshje, emri i tij ishte në të gjithë kolonat.
Pas tërheqjes nga futbolli nuk iu nda asnjëherë këtij sporti. Në karrierën e tij ka drejtuar ekipe si Veleçiku, ndërsa është ulur edhe në stolin e skuadrës së Vllaznisë. Gjithashtu ka mbajtur edhe detyrën e sekretarit te kuqeblutë, teksa ka punuar edhe si trajner i ekipit të moshave.