Partizani mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Dinamos në ‘Air Albania” në derbin e 3-të mes tyre për këtë sezon. Ekipi i Oltijon Kërnajës triumfi me shifrat e pastra 2-0 ndaj rivalëve të tyre, që të kuqtë u morën edhe vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit.
Një përballje e përgatitur deri në detaje nga Kërnaja, i cili siç dihet në ndeshjet e fundit me Partizanit ka arritur të bëjë mjaft mirë. Por para sfidës u përqesh nga penalistët e RTSH në emisionin “Supergol”.
Arben Milori dhe Sokol Bulku ishi dy penalistët në “Supergol”, ku analizuan deri në detaje formacionin me të cilin Kërnaja do të zbriste në fushë, ndërsa ishin jo pak të habitur nga të zgjedhurit. Ata njëzëri shpeheshin se Partizani zbriste në fushë vetëm për të mos humbur, pasi Dinamo ishte qartazi skuadra që do të rrëmbente 3 pikët.
Por pas 90-të minutave, në fushën e lojës Partizani tregoi se ishte skuadra më e mirë dhe Oltijon Kërnaja nuk kishte gabuar me zgjedhjet, duke bërë që panelistët të “heshtnin”.
Pjesë nga emisioni:
“Hygerta: Bytyçi e ka bërë qendërmbrojtësin, por…
Sokoli: Unë po e nis nga lart, sepse më bën përshtypje aktivizimi i Human. Jo për karakteristikat apo tipologjinë që ka ky lojtar, ky është shumë i vlefshëm edhe kur luan si mesfushorë. Është një lojtar që i sulmon zonat në përfundimin e aksionit, por nuk e di, edhe Beni është i habitur… .
Arbeni: Nuk jam i habitur, por pres një qasje shumë mbrojtëse të Partizanit. Po të shikosh kemi Dumia, Qaka dhe Ismaili janë 3 mesfushorë me tipare tipike difensive le të themi. Janë lojtarë që prekupohen më shumë për shkatërrim sesa për ndërtim.
Hygerta: Kjo mund të jetë për shkak të pasigurisë që kanë në qendër të mbrojtjes, duke qenë se nuk kanë alternativa.
Arbeni: ka një dendësi lojtarësh dhe Human është një lojtar tipik mesfushor, 10-tësh do ta quaja unë. Nëse ti e përdor si 9-të fallco nuk e di a do të mund ta bëjë dot. Shpejtësinë e ka, nuk e di nuk e kam parë ndonjëherë të luajë si 9-të fallco, ndoshta e ka parë trajneri në stërvitje.
Kjo tregon qartazi se Kërnaja e ka frikë Dinamon në këtë ndeshje dhe futet të mbrojë, të paktën të mos e humbi ndeshjen, ose ta surprizojë me një kundërsulm. Dinamo i ka mbrojtësit shumë të fortë, të 3 qendërmbrojtësat. Ka një mbrojtës shumë të fortë të ekipit Kombëtar që është Aliji dhe është një vlerë e shtuar. Andre një mbrojtës shumë i mirë për t’u marrë në konsideratë dhe Dita pastaj. Kemi 3 qendërmbrojtësa që do të kenë përballë 2 sulmues dhe një gjysmë sulmues siç është Human.
Gjithsesi unë e shikoj Partizanin pak të ndrojtur dhe pak me frikë me këtë qasje që ka bërë në formacion. Pjesa e mbrojtjes së Partizanit “fut ujë”, po të shikosh Partizani ka bërë mirë, por thuajse në çdo ndeshje është goditur. Po t’i referohemi edhe ndeshjes së fundit në Kupë, Elbasani e sulmoi 4-5 herë dhe pësoi gol.
Do të shikojmë sot një ndeshje vërtet të bukur dhe interesante dhe me Dinamon prioritare për të fituar ndeshjen. Se si do të reagojë Partizani këtë do ta shikojmë. Ka të bëjë pastaj me eksperiencën e trajnerit. Vërtet e kanë përgatitur stafet ndeshjen, por Ilir Daja është më mjeshtër në përgatitjen e ndeshjeve”.
