
Superiorja do të kthehet në mesjavë, ku do të “ngrejë” siparin java e 31-të e saj. Tirana dhe Bylis do të përballen të mërkurën e 26 marsit, në një ndeshje direkte për “zonën e ftohtë”.
Pavarësisht formës jo të mirë të ekipeve edhe kjo ndeshje e ka një “favorit”. Sipas statistikave të ndeshjeve të shkuara, Tirana është favorit për ta fituar këtë ndeshje, pasi gjithnjë ka qenë “makth” për ballshiotët.
Në 34 ndeshje të zhvilluara mes njëra-tjetrës, bardheblutë kanë fituar 18 prej tyre. Ndërkohë që Bylis ka triumfuar vetëm 6 herë, ndërsa 10 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.
Kujtojmë se Tirana mban vendin e tetë në renditje me 31 pikë. Në krahun tjetër, me 32 pikë, Bylis renditet i shtati në tabelën e klasifikimit.