“Abissnet Superiore” mbylli dhe sfidat e raundit të dytë, në kuadrin e “Final Four”, aty ku Egnatia dhe Elbasani “korrën” fitore të rëndësishme përballë Vllaznisë dhe Dinamos.
Rrogozhinasit treguan gjithë potencialin e tyre duke kapur në befasi shkodranët, duke hedhur një tjetër hap më shumë në objektivin për titull pas fitores 2-1, teksa në anën tjetër Elbasani “nënshtroi” një Dinamo të ç’orientuar, si nga mungesat ashtu dhe nga efektiviteti në finalizim.
Me këtë sukses, verdheblutë po bëhen një “hije” e kryesuesve të renditjes pasi momentalisht mbajnë kuotën e 34 pikëve, po aq sa dhe kampionët në fuqi.
Ndeshjet e fundit do të jenë dhe “piketat” ku do të vendoset dhe verdikti përfundimtar i kampionit të këtij edicioni dhe marrë parasysh garën e hapur si rrallëherë më parë, “beteja” mes tre skuadrave do të garantojë spektakël në çdo “kronometër”.
Fakti që dy përballjet e raundit të tretë do të luhen në të njëjtën orë, shton më shumë tensionin dhe “detyron” skuadrat të bëjnë më pak gabime dhe t’i drejtojnë sytë tek trofeu, madje edhe tek rezultati paralel, në rastin më të mirë.
NDESHJET E FUNDIT:
Egnatia – Dinamo, e dielë ora 19:00
Vllaznia – Elbasani, e dielë ora 19:00
