Emiljano Mihana është transferimi i fundit te ekipi i Vorës. Sulmuesi i majtë ka vendosur të bashkohet me skuadrën vorake për sezonin 2026-2027. Mihana vjen nga akademia e Tiranës dhe ky transferim, vështrohet si hapi i duhur për të bërë “zhurmë” në elitën e futbollit shqiptar. “Emiljano Mihana i bashkohet klubit tonë.
Klubi ynë ka kënaqësinë të njoftojë se Emiljano Mihana është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. Sulmuesi i krahut të majtë, 18-vjeçar, i lindur në Tiranë, vjen nga KF Tirana, ku u zhvillua si një prej talenteve premtuese të futbollit shqiptar.
Emiljano ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të Kombëtares së Shqipërisë, duke veshur fanellën kuqezi me ekipet U-15, U-16, U-17 dhe U-19, çka dëshmon potencialin dhe cilësitë e tij.
Me shpejtësinë, cilësinë teknike dhe ambicien për t’u rritur, besojmë se Emiljano do të jetë një vlerë e rëndësishme për ekipin tonë. Mirë se erdhe, Emiljano!”, mesazhi i klubit të Vorës.
Ndërsa në postimin e talentit në profilin e tij, ka komentuar edhe sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha, teksa i ka shkruar: “Suksese Milo”. Mihana prej qershorit të këtij vitit bën pjesë te Shqipëria U-19, evoluim shpresdhënës për të ardhmen.
View this post on Instagram
