Vllaznia do të përballet me Elbasanin më 31 maj në “Air Albania”, ndërsa paralelisht do të zhvillohet edhe sfida mes Egnatias dhe Dinamos në “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Këto janë dy sfidat e fundit të “Final Four”.
Pas humbjes me shifrat 1-2 përballë rrogozhinasve, shpresat e Vllaznisë për titullin kampion janë “shuar” shumë. Megjithatë, në rast fitoreje përballë Elbasanit dhe në rast triumfi të Dinamos ndaj Egnatias, shkodranët kanë shpresa.
Disa ditë para këtij dueli, ka folur edhe presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi. Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, Xhaferi e ka pranuar hapur që pret ndihmën e Dinamos, për të shpresuar ende tek titulli i shumëpritur.
"Ne do të bëjmë detyrën tonë në fushë deri në sekondën e fundit. Besoj se titulli duhet të vendoset vetëm në fushë dhe të fitojë skuadra që e meriton më shumë. Vllaznia e ka udhëhequr kampionatin për pjesën më të madhe të sezonit dhe do ta respektojë garën deri në fund. Përpara kemi një ndeshje shumë të fortë me Elbasanin, një kundërshtar që meriton respekt për atë që ka treguar gjatë këtij sezoni.
Nga ana tjetër, Dinamo ka zhvilluar gjithashtu një sezon shumë të mirë dhe ka treguar se është skuadër me karakter dhe cilësi. Trajneri Ilir Daja ka eksperiencën dhe mentalitetin e duhur për këto ndeshje, ndërsa presidenti Bardhi ka ndërtuar një klub serioz dhe kompetitiv me lojtarë cilësorë.
Ashtu siç respektuan ndeshjen ndaj nesh në “Final 4”, ku fituan me meritë, jam i bindur se Dinamo do ta luajë edhe ndeshjen ndaj Egnatias me maksimumin sportiv dhe profesional deri në fund, sepse kështu e meriton fanella që përfaqësojnë. Në fund, gjithçka është në dorë të Zotit", u shpreh Xhaferi.
