
Të premten do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë për titullin kampion të Superiores. Partizani dhe Skënderbeu do të përplasen në stadiumin “Air Albania”, me dy ekipet të “karikuara” për të marrë maksimumin. Të kuqtë janë favoritë, pasi edhe një barazim i çon në finalen e madhe të 26 majit. Ndërsa korçarët me modestinë e një skuadre të krijuar nga fillimi, do të tentojnë surprizën e madhe.
Nëse do të kthehemi pas në kohë, kjo përballje e këtyre dy ekipeve ka prodhuar gjithmonë spektakël. 8 vite më parë, të kuqtë luanin kundër Skënderbeut. Një ndeshje spektakolare që iu dha udhë vetëm në fundin e 90 minutave. Ishte Emiljano Vila, ai që realizoi me roveshatë një gol që do të mbeste gjatë në memorien të kuqve. Krosimi i Kalarit nga e majta, mesfushori nuk gabon dhe realizon në portën e Skënderbeut. Festa e gjitha e Partizanit dhe e Vilës që vrapoi menjëherë drejt Guerrilsave.
Ndërkaq, nuk mbetën shumë minuta dhe fusha u pushtua nga stafi i Partizanit pas vërshëllimes së fundit. Të gjithë mund të kujtojnë momentet kur Dritan Dervishi festonte bashkë me lojtarët, ndërsa Lorenc Trashi e mbante mbi supe. Çaste spektakolare në një futboll që luhej mes Korçës me Skënderbeun e artë dhe Partizanin që tentonte gjithmonë t’i merrte fronin.
E dy ditë larg ndeshjes së “Air Albania”-s, me siguri makthet e së kaluarës u rikthehen të dy skuadrave. Situata është më ndryshe. Shehi i portës së Skënderbeut, tani është i pankinës së Partizanit dhe “timonieri” që duhet t’i japë rrugën e duhur drejt titullit kampion. Ndërsa te bardhekuqtë është një ekspert në krye të klubit si Ardian Takaj që arriti të krijonte një skuadër simpatike me një trajner mjaft kërkues si Gvozdenoviç.
E gjitha për t’u parë dhe shijuar. Të premten, në orën 20:00. Partizani – Skënderbeu, përballja e dy skuadrave me histori në vendin tonë.