
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova foli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Elbasanin që do të luhet të dielën në orën 20:00 në ‘Elbasan Arena’, e vlefshme për javën e 6-të të Superiores.
“Çdo stërvitje ka qenë e mirë. I afrohemi ditës së ndeshjes dhe jemi gati. Derbi me Elbasanin? Skuadra është gati për ndeshjen e rradhës. Do të jetë ndeshje e fortë dhe e rëndësishme, por ne shkojmë për 3 pikë në Elbasan. Kundërshtari është i organizuar me futboll të mirë, por ne vazhdojmë me objektivat që kemi.
Fusha e Elbasan Arena? Fusha është faktor, por do të jetë për të dyja ekipet. Terreni shumë i mirë që të lë të shprehësh futbollin e direktuar. Do të jetë një ndeshje e bukur me spektatorë. Nuk i druhem kundërshtarit, kanë bërë investime në organikë dhe të jep pamjen e ekipit pretendent, por jam i fokusuar te skuadra ime.
Gjendja? U rikthye Kasa në ndeshjen e fundit, por humbëm Dylusse dhe kjo do të jetë mungesa e vetme nesër.
Ekipi po merr formë, por dëmtimet nuk po na bëjnë mirë. Janë dëmtime që vijnë nga goditjet e kundërshtarit e jo nga stërvitjet. Shumë shpejt Egnatia do të jetë në nivelin që ka qenë.
Përveç ndeshjes me Vllazninë, të tjerat kanë qenë në ngritje graduale. Kjo është pishmani i vetëm, por është shumë shpejtë pasi ka ende 31 javë përpara”, tha Tetova.