
Ka përfunduar ankandi i parë për 66% të aksioneve të klubit të Tiranës. Afati final i vendosur nga përmbaruesi ishte sot deri në orën 16:00 dhe në ankand nuk u shfaq asnjë i interesuar.
Tirana humbi gjyqin me kreditorin Abedin Treza në vitin 2019 dhe familjarët e tij kanë nxjerrë në shitje aksionet që aktualisht zotërohen nga Refik Halili. Çmimi i tyre ishte rreth 1.6 milionë euro dhe duke qenë se nuk u shfaq asnjë i interesuar, ankandi i rradhës do të jetë me çmim 30% më lirë.
Nëse sërish nuk do të ketë blerës, 66% të aksioneve do të kalojnë në emër të kreditorit, ndërsa pjesa tjetër, 34%, vijon të jetë në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Vetë klubi bardheblu ka reaguar pas publikimit të lajmit fillimisht, duke e quajtur si një manovër për “dezinformim të qëllimshëm për sa i përket falimentit të klubit! Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të klubit.”