6 ndeshje. Kaq i mjaftuan Nevil Dedes që të shpallej kampion i Shqipërisë me Egnatian, pas fitores së këtyre të fundit 2-0 përbaallë Dinamos, në takimin e vlefshëm për aktin final në Superiore.
Tekniku kryeqytetas u bë “timonieri” i rrogozhinasve më 4 maj dhe që prej asaj dite, në stolin e kampionëve, numëron 4 fitore, 3 prej të cilave në “Final Four” dhe vetëm 2 humbje, njëra në finalen e Kupës përballë “bluve” të kryeqytetit.
Disa mund ta quajnë fat, ndërsa të tjerë besojnë se “dora” e Dedes kthjelloi mjaftueshëm skuadrën për t’i shkuar deri në fund këtij objektivi që u arrit me sukses.
Kështu mendon edhe gazetarja e sportit dhe moderatorja e emisionit “Supergol” në RTSH, Hygerta Sako e cila pas përfundimit të takimit shpërndau në profilin e saj një foto me teknikun me përshkrimin: “Kësaj i thonë paç fatin e Nevil Dede”.
Një batutë e përzgjedhur, por që i shkon përshtat strategjisë së qëlluar të 51-vjeçarit, i cili po ka hedhur tashmë hapin e madh drejt ciklit fitues.
