Elbasani do të luajë dy ndeshje shumë delikate dhe tepër të rëndësishme brenda kësaj jave. Fillimisht verdheblutë do të sfidojnë Partizanin në çerekfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë.
Ekipi i Ivan Gvozdenovic ditën e nesërme zbret në fushë në orën 14:30, ku në “Arenën e Demave” do të synojë përmbysjen e rezultatit të parë, ku të kuqtë kanë triumfuar 1-0.
Ndërkohë pas 4 ditësh do të përballen me ekipin tjetër kryeqytetas. Bëhet fjalë për Tiranën, por këtë herë do të luajnë për llogaritë e javës së 27-të të Superiores. Në “Selman Stërmasi” ditën e dielë në orën 15:00 do të jenë “all-in” vetëm për 3 pikët.
Duele vendimtare për objektivat e kësaj skuadre, me presidentin Kujtim Llupa që ka bërë një mbledhje me ekipin. Kreu i klubit u ka kërkuar futbollistëve të jenë të përqendruar dhe të luftojnë deri në fund për kualifikimin në Kupë dhe për rezultatet pozitive në kampionat.
Ndër të tjera është shpreshur se ka besim plotësisht te aftësitë e tyre dhe për këtë është i bindur në cilësitë që kanë, duke motivuar kështu futbollistët për të dhënë maksimumin në dy sfidat e ardhshme.
“Deri tani keni bërë një kampionat të mirë, pasi ekipi është brenda objektivave. Në një garë të gjatë ka edhe ulje – ngritje dhe të gjithë jemi koshientë për këtë gjë. Mirëpo, tani vjen pjesa më e rëndësishme e kampionatit dhe duhet të tregoni më të mirën tuaj. Kupa është objektiv, duhet të bëjmë të pamundurën për të kaluar më tej. E di që potenciali nuk mungon, ndaj shpresoj dhe besoj nga të gjithë ju që ta përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë dhe të jemi ne ata që do të kalojmë më tej.
Nuk dua t’ju vë nën presion, sepse ju jeni të gjithë profesionistë dhe e dini rëndësinë e këtyre ndeshjeve që kanë mbetur. Çdo ndeshje duhet trajtuar si finale, sepse ky kampionat është shumë i fortë. Unë kam besim tek ju dhe ajo që do të jepni në fushë”, ka theksuar Llupa.
