Me përfundimin e këtij sezoni, i cili rezultoi në një dështim, Tirana do të nisë revolucionin në skuadër. Një revolucion me themel që nis nga stafi teknik me Erbim Fagun i cili nuk pritet të rinovojë. Dy janë kandidatët për ta zëvëndësuar, Shpëtim Duro dhe Mirel Josa.
Dy emra të mëdhenj për trajningun shqiptar me ish-trajnerin e Partizanit, Duron që është emri më i ‘nxehtë’ për shkak të së shkuarës së tij të ‘kuqe’. Në fakt ka qenë vetë Duro i cili është vetëofruar për stolin bardheblu në një emision pak muaj më parë.
Ndërsa, për Mirel Josën do të ishte një rikthim me shumë ndjenja të ndryshme. Hera e fundit kur Josa ulej në krye të pankinës ishte viti i errët i rënies nga kategoria. Kapitulli i tij i artë bardheblu nuk mund të mbyllej me një njollë të tillë, ndaj një aventurë tjetër mund të jetë shansi më i mirë për të dy palët.
E gjitha është në dorën e presidentit Halili, i cili për momentin ka këto emra në tryezën e tij.