Vllaznia mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Elbasanit në kampionat. Kuqeblutë fituan 2-1 ndaj verdhebluve dhe falë barazimit të Egnatias tashmë kryesojnë me 5 pikë diferencë me vendin e dytë.
Paraqitja e shkodranëve në javët e fundit është fantastike, ku ekipi numëron 7 fitore në kampionat dhe 2 në Kupën e Shqiperisë, në total 9 ndeshje. Por fitorja ndaj Elbasanit ka bërë që presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi të “hapë thesin”.
Kjo pasi kreu i klubit u kishte premtuar futbollistëve premio në rast fitoreje dhe tashmë diçka e tillë do të ndodhë. Mësohet se 10 mijë euro do të shpërndahen nga Xhaferi për stafin dhe skuadrën, me lojtarët që mbushin “xhepat” pas triumfit ndaj verdhebluve.
Padiksutim ky është një motivim akoma më i madh nga ana e drejtuesve për ekipin, të cilët duhet të luftojnë deri në fund për të mbajtur vendin e parë dhe për të tentuar më pas titullin.
