
Egnatia është skuadra me kalendarin më të ngjeshur në muajin maj. Kjo pasi klubi rrogozhinas ndodhet në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe ka siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalen e “Final 4”.
Me një llogari të thjeshtë, nga dita e nesërme dhe deri me datë 17 maj Egnatia do të luajë 4 ndeshje. Dy takimet e para do të jenë më 8 maj dhe 11 maj për të mbyllur kampionatin e rregullt përballë Dinamos dhe Tiranës.
Më pas me 14 maj, djemtë e drejtuar nga Edlir Tetova zbresin sërish në fushë për finalen e Kupës kundër Kukësit. Dhe më 17 maj luhet gjysmëfinalja e parë e “Final 4”, ndërsa shorti mund ta rezervojë këtë takim dhe për datën 19 maj.
Ky do të jetë dhe turi i forcës për Egnatian. Këta të fundit kanë në dorë për të fituar gjithçka në fundin e sezonit, por për këtë duhen rezistuar ndeshjet që nuk lënë mundësinë e pushimit.