
Veleçiku u mposht 2-1 nga Valbona, ndeshje e vlefshme si finale e Play-Off për grupin A të Kategorisë së Dytë. Skuadra e drejtuar nga Dritan Smajli, fatkeqësisht e sheh veten sërish në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm. Sfida kishte shumë tension me arbitër kryesor Blerim Zirin.
Ky i fundit është vënë në shënjestër nga Smajli që pas ndeshjes e ka akuzuar si njeriun që vendosi fatin e takimit. Trajneri i koplikasve u largua nga pankina me karton të kuq që në pjesën e parë.
“Normalisht që largimi im nga pankina ndikoi te skuadra sepse kur është pa trajner i bie morali. Por, ka qenë një largim i kotë. Lojtari ynë ishte i dëmtuar në fushë dhe arbitri vazhdoi lojën. I kërkova llogari dhe ai më dha karton të verdhë.
Sigurisht që nuk isha dakord me këtë gjë dhe pa e ofenduar aspak i thashë se po gabonte dhe si rrjedhojë më nxorri edhe kartonin e dytë të verdhë, edhe më pas të kuqin duke më larguar nga pankina. Unë e kisha paralajmëruar që përpara ndeshjes së diçka do të ndodhte me arbitrimin.
Dhe ta keni të qartë se unë nuk flas kot, por e kisha një parandjenjë që Veleçiku do të ndëshkohej dhe për këtë u gjend arbitri i duhur. Ajo që mund të them unë është se Blerim Ziri është turpi i arbitrimit në Shqipëri.
Ka luajtur me ndjenjat e Malësisë së Madhe. Unë nuk kam folur kurrë me këtë gjuhë, por ai është për turp. I uroj suksese Valbonës në rrugëtimin e saj drejt Kategorisë së Parë”, është shprehur trajneri i Veleçikut Dritan Smajli.