
Është një nga lojtarët më të mirë shqiptarë dhe një nga futbollistët që po spikat në kampionatin kroat. Myrto Uzuni, sulmuesi i kombëtares kuqezi ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit të Lokomotivës së Zagrebit.
Beratasi shprehet i lumtur për rikthimin në fushë, ndërsa është i bindur që skuadra e tij do të shkojë në finalen e Kupës. Pas kësaj periudhe të vështirë të pandemisë, nuk mund të mungojë premtimi i tij: Dua të shënoj gola.
“Jam shumë i lumtur që jemi rikthyer në fushë. Të gjithëve na ka munguar futbolli. Kemi punuar shumë, shpresoj të vazhdojmë në nivelin që kemi qenë. Skuadra është fantastike, duhet të konfirmojmë veten në ndeshjet e ardhshme.
E kemi kualitetin për të dalë në finale, uroj të luajmë mirë dhe të fitojmë. Duam të rifillojmë aty ku e lamë, skuadra dhe unë personalisht. Dua të vazhdoj të shënoj gola, do lumturohesha shumë nëse shënoj dhe dërgoj Lokomotivën në finale”, ka deklaruar ai.