
Lindon Selahi është djaloshi që Edi Reja ka grumbulluar për herë të parë në dy ndeshjet kualifikuese, kundër Tuqisë dhe Moldavisë. I lindur në Belgjikë, por me një familje që e ka origjinën nga Kumanova (Maqedonia e Veriut), ai asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për t'u bashkuar me kuqezinjtë edhe pse oferta nga ekipi belg nuk mungoi.
Selahi ka lëvizur shpejt në karrierë. Ai është i datëlindjes 26 shkurt 1999 dhe që në vegjëli ka qenë pjesë e moshave në rrethinat e Namur, qytet ku ka lindur në Belgjikë. Karriera e tij nis te Standard Liezhi, ku mes peripecirash dhe brrylash ia ka dalë për t'u bërë pjesë e ekipit A në vitin 2018.
Mesfushori kaloi këtë sezon te Tuente në Hollandë, duke bërë paraqitje të mira. Ai ka zhvilluar 9 paraqitje në ligën më të madhe në vendin e tulipanëve, duke koleksionuar 587 minuta. Selahi ka qenë pjesë në vitin 2014 me ekipin U16 të Belgjikës dhe më pas është bashkuar me Shqipërinë U17. Që prej vitit 2018 tekniku Bushi e ka grumbulluar me ekipin U21 të Shqipërisë.
Sot ai po plotëson dëshirën më të madhe, të mbajë veshur fanellën e ekipit A dhe të bëjë krenar një popull që sytë I ka edhe nga futbolli.