Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

U shit për 50 mijë euro, Klevi Qefalija i tregoi Tiranës se çfarë ka humbur

Shkruar nga NEWSPORT
U shit për 50 mijë euro, Klevi Qefalija i tregoi Tiranës se

Akademia ka qenë dhe është një organ shumë i rëndësishëm për klubin e Tiranës. Prodhimi, zhvillimi dhe promovimi i talentëve është një nga strategjitë kryesore në objektivat e klubit. Prej vitesh kemi parë emra të rinj si Ernest Muçi, Jurgen Çelhaka, Marsel Ismajlgeci që kanë zënë një vend të rëndësishëm në formacionin titullar, madje dy të fundit kanë mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Edhe në këtë sezon janë Leon Kozi dhe Ermal Meta që kanë bërë kalimin e madh nga moshat te formacioni i ekipit A. Mirëpo, emri që pritej aq shumë të shpërthente ishte Klevi Qefalija. Kapiteni i akademisë, mesfushori që pritej të ishte zbulimi i rradhës i Tiranës, në mënyrë të befasishme u shit për 50 mijë euro te rivalët e Dinamos.

Një lëvizje që nuk u prit mirë si nga tifozët, ashtu edhe nga opinioni sportiv që e konsideroi të pakuptimtë këtë operacion. 20-vjeçari, jo vetëm që ishte ndër më të mirët nga moshatarët, por përfaqësonte vlera të tjera si “çun tironas” me familje bardheblu.

Sezonin e shkuar, Orges Shehi i dha vendin e titullarit në 2 ndeshjet e para të kampionatit, por një dëmtim i frikshëm në Rrogozhinë ndaj Egnatias e la jashtë për muaj me rradhë. Pas një kohe të gjatë, rikthimi i tij në fushë erdhi gradualisht në rritje. Në kualifikueset europiane, Shehi i besoi sërish minuta ndaj një gjiganti si Besiktas, jo thjeshtë për të dhënë kontribut për skuadrën, por edhe se një eksperiencë e tillë është ndjesi e rrallë për një djalosh të akademisë.

Orges Shehi vijoi t’i besonte në startin e sezonit të ri ku luajti në 5 nga 6 ndeshjet që ai drejtoi, madje duke shënuar edhe një gol në fitoren 3-1 ndaj Skënderbeut. Me largimin e Shehit dhe ardhjen e Julian Ahmataj, situata e Qefaliajt mori një rrjedhë të kundërt. Ai u inkuadrua vetëm 19 minuta nga 6 ndeshje, e më pas nuk u përfshi fare në skuadër.

Minutat e pakta dhe besimi i munguar sollën largimin e tij nga klubi ku hodhi hapat e parë dhe firmosi kontratën e parë profesioniste. Ai u shit për 50 mijë euro te Dinamo, një shifër modeste që zakonisht jepen për premio në fitoret e derbit.

Në krahun tjetër të kryeqytetit, situata ishte totalisht ndryshe. Qefalija mori minutat që dëshironte dhe i shpërbleu besimin trajnerit në fushën e lojës. Menjëherë në paraqitjen e dytë për blutë, ai dhuroi asistin për golin e fitores në derbin ndaj Partizanit.

E së fundmi, java e 28-të e Superiores e vuri përballë ish-ekipit të tij, Tiranës. Një ndeshje me emocion dhe stimul më tepër për të që kishte diçka për të provuar. E nisi titullar dhe shkëlqeu me 2 gola të shënuar.

Në momentin e zëvëndësimit, ironia e fatit i ra të dilte nga vija pas porte, aty ku Fanaticsat këndonin koret në mbështetje të Tiranës. Ultrasit bardheblu, si rrallë herë, ndalën këngën dhe nisën duartrokitjet e komplimentat për paraqitjen e Qefaliajt. Kishte edhe një tifoz që nën emocionin dhe presionin e ndeshjes, shfryu pak nervat te mesfushori, por për punë sekondash “iu mbyll goja” nga të pranishmit.

Sot, Tirana vuan nga organika e pakët dhe javë pas jave shohim një formacion të arnuar dhe një stol thuajse bosh. Klevi Qefalija mund të ishte aty, por u shit për 50 mijë euro.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga