
Sot ishte programuar të zhvillohej ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë, e vlefshme për kampionatin e femrave. Një duel që ka startuar në kompleksin “Skënder Halili” dhe që pritej me mjaft interes nga gjithë sportdashësit.
Takimi ka nisur normalisht, por më pas ajo që është para në fushë dhe përtej saj ka kaluar konotacionin dhe qëllimin që ka futbolli. Një përplasje verbale mes stafeve ka degjeneruar më pas në dhunë, teksa arbitrat e takimit bashkë me delegatët janë detyruar të ndërpresin takimin.
Pikërisht për këtë ngjarje aspak të këndshme, klubi i Tiranës ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare:
“Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja KF Tirana Femra - KF Vllaznia Femra, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë.
Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë Femra, janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës Femra si edhe futbollistet.
Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami.
Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike.
Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar.
Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport!
ZYRA PËR SHTYP
KF TIRANA”, shkruan klubi bardheblu.