
Partizani po zhvillon në Pogradec përgatitjet për edicionin e ri të kampionatit shqiptar. Kemi hyrë në muajin gusht dhe skuadra po merr formë, teksa gjithçka arrin kulmin më 20 gusht. Në këtë datë fillon Abissnet Superiore, ku të kuqtë e luajnë sfidën e parë kundër Egnatias.
Trajneri Mehmeti i ka disa ide me lojtarët e afruar, që plotësojnë boshllëqet e atyre që u larguan. Nëse të gjithë prezantimet e verës kanë debutuar, i vetmi që nuk ka fituar minuta as gjatë miqësoreve është Bekim Rexhepi. Gardiani përfundoi aventurën si huazim me Skënderbeun sezonin e fundit, për t’u bashkuar më pas me të kuqtë nga Shkëndija e Tetovës.
Dhe pse ka qenë krah “demave” që në Slloveni, ku u zhvillua faza përgatitore në kuadër të Europës, testi i parë për të ka munguar. Me largimin e Laroshit, Rexhepi ka konkurrencë vetëm me Alban Hoxhën dhe Aldo Teqjan. Mbetet për t’u parë si do shkojë e ardhmja e tij, pasi është mësuar të jetë titullar te Skënderbeu.